Lajme — October 16, 2017 at 3:46 pm

Sami Lushtaku i futet në zyrë Ramush Haradinajt, ia lë këtë ‘amanet’

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim luftëtarin e lirisë, gjeneralin e luftës dhe Kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku dhe deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mërgim Lushtaku, me të cilët ka biseduar për aktualitetin politik të vendit.

Në takim u bisedua për dinamikën e re që është instaluar në qeverisje, duke i dhënë prioritet zgjidhjes së temave të rënda, që janë neglizhuar nga qeverisjet e kaluara.

Në takim nuk është lënë anash as tema e trajtimit të kategorive të luftës për liri, për çka kryeministri Haradinaj i njoftoi bashkëbiseduesit se ka ndërmarrë hapa dhe veprime konkrete, që veteranët dhe invalidët e luftës si dhe kategoritë tjera përfituese nga shteti, të mos presin me muaj pagat dhe pensionet e tyre si dhe për përgatitjet që po bëhen për vitin jubilar, dhjetë vjetorin e pavarësisë së vendit, që erdhi si rezultat i luftës së UÇK-së dhe mbështetjes së aleatëve të Kosovës, ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe shteteve tjera të perëndimit.

“Takova Gjeneralin e luftës Sami Lushtakun sot kur po e shënojmë përvjetorin e 20-të, të rënies për liri të Adrian Krasniqit dhe më këtë dua të jap mesazhin se vlera më sublime dhe e arritura më e madhe e shqiptarëve, pas Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 është pikërisht lufta çlirimtare dhe shtetndërtimi i Kosovës, prandaj, të gjallët dhe të rënët e kësaj lufte duhet të jenë udhërrëfyes për lidershipin e vendit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe deputeti Mërgim Lushtaku janë zotuar se kryeministri Haradinaj do ta ketë mbështetjen e tyre të pakursyer politike, në përmbushjen e mandatit qeverisës në mënyrë shembullore, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.