Lajme — October 5, 2017 at 7:04 pm

Ramush Haradinaj për Malin e Zi: Nuk prishem me miq, por…

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sërish ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Ai në një tubim në Vushtrri, pavarësisht paralajmërimeve nga BE dhe Mali i Zi, ka thënë se Komisioni për Demarkacion të cilin e ka formuar ai qysh në ditën e parë të tij si kryeministër i vendit, shumë shpejt do të dalë me të gjetura.

“Për demarkacionin, është situatë e thjeshtë. Disa po thonë do me na lanë pa viza, disa po thonë do me na lanë pa tokë. Procedurat janë të ditura. Është bë gabim, është ndërruar një komision, nuk jemi prishë me miq. Një komision mendojmë se ka bë gabime, e kemi formuar tjetrin, ai i gjen gabimet, ne politikanët flasim në Parlament se çka po bëjmë. Mos harroni, asnjë ndryshim s`e bëjmë. Si e zgjedhin vendet e BE-së këto çështje si në tokë si në deti, edhe ne e bëjmë ashtu”.

Kujtojmë se ditë më parë kryeministri i Malit të Zi tha se me Kosovën nuk do të diskutohet më për as një centimetër.

“Unë dua të porosis qeverinë e Kosovës, kryeministrin e ri që të jenë të përgjegjshëm ndaj kësaj çështjeje, sidomos të jenë të përgjegjshëm ndaj Malit të Zi si shtet mik i cili e ka mbështetur Kosovën e i ka mirëkuptuar rrethanat atje. Mali i Zi ka kryer punën e vet sa i përket demarkacionit”, kishte deklaruar Markoviq.

Lidhur me dy kushtet për liberalizimin e vizave kishe paralajmëruar edhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson.

“Kriteret janë të njohura publikisht dhe ne këshillojmë që të shikohet se si të adresohen këto kritere. Kjo i takon Qeverisë së Kosovës. Nga ana jonë, zotimi është i qartë. Një hap është kryer. Komisioni (Evropian) është i gatshëm që të bëj rekomandimin për liberalizim të vizave, sapo të kryhen këto çështje”, deklaroi Danielsson pas takimit me Haradinajn ditë më parë.