Lajme — October 16, 2017 at 4:33 am

I kam kënduar Erdoganit e Ramës – kështu fitojmë pasi me luftë humbëm

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm serb, Ivica Dacic, në një tekst autorial për gazetën ‘Alo’ të shkruar për 100 ditëshin e qeverisë së re serbe ka folur për diplomacinë aktuale të Serbisë, duke thënë se ajo është në ditët më të mira të saj.
Ai me këtë rast ka përmendur edhe rastin e këndimit para presidentit turk Reccep Tayyip Erdogan, dhe ka treguar se njëjtë i ka kënduar edhe Edi Ramës, Angela Merkelit, Sergej Lavrovit, e do t’i këndoj edhe presidentit amerikan Donald Trump nëse është nevoja, vetëm e vetëm që Serbia të fitojë, shkruan gazetametro.net.
Dacic ka thënë se me këtë formë diplomacie Serbia po fiton dhe do të fitojë, pasi ajo e mëparshmja e ultimatumeve dhe e forcës, ka treguar se është dështim.
Ai me këtë rast ka përmendur edhe rastin ridështimit të Kosovës për t’u pranuar në UNESCO, pasi diplomacia kosovare në momentet e fundit vendosi të tërhiqet nga aplikimi për anëtarësim.
“Më ra prej zemrës guri i rëndë sa Deçani dhe Zoçishti, e pash përsëri shkëlqimin e Graçnicës, dhe e dija se shenjtërit tona në Kosovë mbesin të sigurta dhe që armiqtë nuk i morën. Kemi derdhur shumë djersë unë dhe presidenti Vucic për të bindur miqtë tanë në botë se është e rrezikshme të lejosh Pacollin, Haradinajn e Thaçin të hyjnë në UNESCO”.
Ai theksoi se disa anëtarë të organizatës që herën e fundit votuan për pranimin e Kosovës, i bindën të votonin kundër kësaj radhe.
Dacic ka shkruar se pret që brenda dy vitesh, Kosova të përsëris kërkesën për anëtarësim, dhe se deri atëherë Serbia duhet të jetë e përgatitur më shumë se kurrë. Dacic vlerëson se reputacioni i Serbisë por ngritet çdo ditë.
“Gjithkund na pranojnë më kënaqësi, askënd nuk e gënjejmë më … E di që shumëkush tani do të thotë: ‘Shuaj Ivica dhe këndo”, deklaroi ai, ndërsa shtoi se për Serbinë do të bënte gjithçka.
“Po, kam kënduar dhe do të këndoj. I kam kënduar Merkel’it, Sergej Lavrovit, Ashtonit, Ramës, Erdoganit dhe Putinit. Do ti këndoj edhe Trump’it nëse ka nevojë, nuk më vjen turp. Diplomacia dhe fitoret diplomatike nganjëherë arrihen me këngë, me sharm, me shaka të mira dhe jo vetëm me ultimatume, reciprocitet dhe forcë. Serbia nuk është në pozitë të shtyhet me gjoks, e pamë se si kjo na ka sjellë dekada prapa”, ka thënë Dacic.
Parlamenti dhe deputetët serbë sipas Dacic’it janë “aktorë në rrjetet sociale … ndërsa kur vjen puna për të bërë vërtetë diçka për Serbinë, mbesim unë dhe Vucic”.
“Sidoqoftë, ne vazhdojmë para, e kritikët le të vazhdojnë punën e tyre, pas nesh mbeten rezultatet”, ka thënë ai.
Dacic: Kosovës do të ua japim një ulëse druri që të ulen par selisë së OKB’së sepse anëtar s’do të jenë kurrë
Tutje shefi i diplomacisë serbe ka folur edhe për pranimin e Kosovës në OKB.
Dacic tha se e sheh që sot shumëkush flet se si Kosova do të fitojë ulësen në Kombet e Bashkuara, por se nuk ka asgjë të vërtetë.
“Do ta lus një mik timin që punon me mobile që t’ua huazoj një ulëse druri, në mënyrë që shqiptarët e Kosovës të ulen përpara selisë së Kombeve të Bashkaura në New York, sepse në OKB kurrë nuk do të fitojnë ulëse”, tha Dacic